Nga datat 25 deri 27 Prill 2014 myslimanët shqiptarë nga të gjitha trevat me banim në Itali u mblodhën për të shtatin vit radhazi në Takimin më të rëndësishëm vjetor që kjo shoqatë organizon. Duke marrë parasysh situatën jo të mirë ekonomike që karakterizon mbarë Evropën dhe në veçanti Italinë, realizimi i këtij Takimi me pjesëmarrje të kënaqshme dhe brenda një atmosfere tejet të ngrohtë, pozitive dhe mbi të gjitha vëllazërore, ishte arritje më vete. Kriza ekonomike dhe mbi të gjitha morale e cila ka pushtuar vendet e industrializuara nuk kishte sesi mos të na shqetësonte e të mos reflektohej edhe në tematikën e këtij Takimi.
Siç tashmë është bërë traditë edhe këtë radhë nuk munguan ligjëratat përkujtuese me temë fetare, pa anashkaluar ato informuese me tema sociale, politike dhe filozofike. Takimin e nderuan me pjesëmarrjen e tyre: nga Shkupi, imami dhe studiuesi i shkencave islame Bekir Halimi, i cili shpjegoi në mënyrë mjaft koncize hadithin e bukur profetik Feja është këshillë, si dhe drejtori i shtëpisë botuese Furkan ISM Dr.Muhamed Murtezi, i cili shtjelloi Urdhërimin në të mirë dhe ndalimin nga e keqja brenda kontekstit dhe kushteve në të cilat ndodhemi; nga Frankfurti imami dhe studiuesi i shkencave islame Dr. Taha Amer, i cili sugjeroi disa metoda efikase të thirrjes në Islam në shoqëritë bujtëse; nga Shqipëria docenti i letërsisë moderne pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit Dr. Rudian Zekthi me temën Ko-ordinata, organizimi i shoqërive moderne, vendi dhe roli ynë brenda tyre, si dhe studiuesi i jurisprudencës komparative, doktorant pranë Universitetit të Kasimit në Arabinë Saudite, Klodjan Mulita që përshkroi temën mbi Zemrën besimtare adhuruese të Allahut dhe virtytet e saj; nga Venecia shkrimtarja dhe aktivistja italiane për të drejtat e myslimanëve Silvia Lejla Olivetti, e cila prezantoi librin e saj Diversamente italiani dhe nga Milanoja eksperti me përvojë në organizimin efektiv të punës së shoqatave bamirëse Jasin Baradei, që u fokusua mbi strategjitë e punës organizative në shoqatë Gjuhën e komunikimit dhe Fundraising.
Gjithashtu gjatë këtij takimi nuk u mënjanuan as më të vegjlit, për të cilët u tregua një përkujdesje e veçantë duke ia mbushur ditën gjatë ligjëratave me lojra dhe aktivitete të tjera zbavitëse dhe didaktike. Atmosferë të veçantë krijuan aktivitetet e ndryshme sportive mes më të rriturve dhe mini-turneu i futbollit. E konceptuam tematikën e këtij Takimi “Jashtë vorbullës së mugëtirës*: nga errësirat në dritë” duke marrë shtysë nga përpjekja intelektuale e njërit prej zërave më origjinalë të myslimanëve ballkanas, mendimtarit dhe aktivistit boshnjak Ferid Muhiç, i sjellë me aq mjeshtëri në gjuhën shqipe nga poeti Fatmir Baçi. Në gërshetimin harmonik të mësimeve kuranore dhe përsiatjes së sinqertë intelektuale në shkrimin e tij të gjatë Për dritën, Hijet dhe Muzgun Muhiç konkludon: “E tillë është bota në të cilën jetojmë, një botë që ka humbur thelbin e njëmendtë të ndjeshmërisë së vet: ndjenjën për dritën e kulluar. Është një botë që gjallon në kufirin ndarës mes dritës dhe errësirës, e cila shenjon dhe zonën e rrezikut të mbramë dhe vrastar […]. Me këmbët në dritën e diellit dhe kryet në errësirën e muzgut”. Prandaj në këto situata jo shumë të qarta, kur zëri i së vërtetës bëhet gjithnjë e më i mbytur e ku manipulimi është sofistikuar në maksimum, ajo që na ngelet e qartë është fjala e Allahut dhe këshillat e sinqerta ndaj njëri tjetrit: “Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm” [El-Asr: 1-3].
Gjatë rrjedhës së historisë, mediatorët dhe udhërrëfyesit autentikë të bashkësisë së besimtarëve kanë qenë dhe mbeten të dërguarit, dijetarët dhe mendimtarët. Me dritën e marrë nga Zoti dhe dhuntitë intelektuale plazmuar prej Tij, këta njerëz të lartë me përpjekjet e tyre të sinqerta kanë marrë barrën dhe hequr udhën për nxjerrjen e popujve të tyre nga terri i injorancës dhe padrejtësive të kohës në dritën e shpëtimit. Çdo kohë dhe kontekst historik i ka përballur gjeneratat pararendëse me sfida dhe problematika nga më të ndryshmet, ndërsa tejkalimi me sukses i tyre jo gjithmonë ka qenë i garantuar. Suksesi dhe dështimi janë në dorën e Allahut të Madhëruar, por për secilin rezultat Allahu ka bërë shkaqet.
Kur besimtarët kanë vepruar të bashkuar, me dije, mençuri dhe mbi të gjitha sinqeritet fitorja ka qenë e tyrja dhe anasjelltas kur ndaj cilësive të mësipërme janë treguar neglizhentë kanë ndjerë shijen e hidhur të disfatës. Koha në të cilën jetojmë po na përball me sfida jo krejt të pahasuara më parë, por edhe me një sërë fenomenesh të reja. Relativizimi i të vërtetës dhe moralit prej atyre që sot zotërojnë qendrat e pushtetit, “dijes” dhe kulturës masive si fluksi i papërballueshëm informativ dhe intensiteti gati frenetik i komunikimit virtual mundësuar nga kibernetika, i japin çdokujt të drejtën për të përhapur “të vërtetat” e tij reale ose imagjinare, pa hasur as rezistencën minimale. Sigurisht tolerimi i fenomeneve të tilla bëhet me vetëdije të plotë edhe prej atyre që kanë në zotërim mjetet e nevojshme për krijimin e kësaj mjegulle informative, e këtij ekosistemi që vegjeton në mugëtirë, e këtij territori ideal për ujkun proverbial. Siç thotë një dijetar mysliman: Dynjaja është beteja midis drejtësisë dhe kotësisë, e sprovimit të njerëzve të zgjedhur me njerëzit e këqij, e besimtarëve me horrat, është bota e përkohshme Thotë Allahu në Kur’anin Famëlartë: “All-llahu është dritë (ndriçues, udhëzues) i qiejve e i tokës. Shembulli i dritës së Tij i ngjason kandilit të vendosur në një zgavër të errët. Kandili gjendet brenda një qelqi si të ishte yll flakërues e që ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar, prej ullirit që nuk mund të quhet as i lindjes e as i perëndimit, e vaji i tij ndriçon pothuajse edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. All-llahu udhëzon kah drita e Vet atë që do Ai. All-llahu sjell shembuj për njerëzit. All-llahu çdo gjë di shumë mirë. (ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë) që All-llahu lejoi të ngrihen, e që në to të përmendet emri i Tij, t’i bëhet lutje Atij mëngjes e mbrëmje. Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur All-llahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zekatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet” [Nur, 35-37]. “Nëse ndonjëri nga ju është nën rrezet e diellit dhe hija i afrohet, aq sa një pjesë e trupit mbetet në hije dhe tjetra në diell, atëherë le të largohet!” Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të]