Edhe pse i formësuar vetëm në muajin mars të vitit 2009, Unioni i Shqipëtarëve Muslimanë të Italisë, i cili në nivel organizativ përbëhet nga studentë apo ish studentë shqiptarë të ardhur kryesisht në Itali në prag të viteve 2000 e më pas, me nismat dhe aktivitetet e zhvilluara kohët e fundit( kujtojmë aktivitetin mbi 100 Vjetorin e Pavarësisë, por edhe takimet e përvitshme periodike) po kërkon ti japë tonin jetës komunitare të shqiptarëve në ‘Belpaese’. Por emocionet dhe krenaria bëhen akoma më domethënëse kur mësojmë se pjesë aktive e këtij komuniteti shqiptarësh, siç është rasti i studiueses Egesta Lopçi, nderohen me çmime ndërkombëtare në fushën e kërkimeve shkencore dhe pikërisht në lëmin e studimeve të diagnostikimit të sëmundjeve tumorale. Nuk kemi si të mos ndjejmë simpati dhe gëzim njëherësh për Egestën sidomos kur mendojmë se puna dhe kërkimet e saj janë një shërbim i jashtëzakonshëm për lehtësimin e vuajtjeve njerëzore aq më shumë në këto kohë kur kanceri njihet si sëmundja e shekullit e ku gjithëkush prej nesh, nga larg ose nga afër në një lloj mënyre e ka njohur dorën e saj vrastare.Gjejmë rastin ta përgëzojmë Egestën personalisht për sukseset e arritura dhe pa i marrë shumë kohë ti bëjmë një intervistë të shkurtër që shpresojmë të na i bëjë arritjet e saj disi të prekshme. Përshëndetje Egesta:
Cila është karriera juaj studimore?
E.L:Mirëseerdhët. Karriera ime studimore është shumë e përngjashme me atë të mijëra studentëve shqiptarë që çdo vit vijnë në Itali për të vazhduar studimet. Edhe unë, me të mbaruar gjimnazin ‘28 Nëntori’ në Shkodër – këtë kam dëshirë ta theksoj –, bëra kërkesën për të filluar universitetin në Itali dhe, pas provimit, u pranova në fakultetin e mjekësisë në Bologna, të cilin e përfundova në 2006 me notën maksimale (110 e lode), për të vazhduar me specializimin në mjekësinë bërthamore, të përfunduar pesë vite me vonë. Aktualisht, po në të njëjtin universitet, ndjek doktoraturën mbi patologjinë tumorale të mushkërive.
Si e pritët çmimin?
E.L: Do të ishte mbase e tepërt të nënvizoja emocionet e prodhuara nga ky vlerësim për profesionin tim, aq më tepër nga një çmim i këtij niveli. Rrethanat pastaj janë ato që e galvanizojnë akoma më tej momentin, pasi dorëzimi i çmimit bëhet gjatë ceremonisë përfundimtare të Kongresit vjetor të European Association of Nuclear Medicine, i cili këtë vit organizohej në Lion. Normalisht në ceremoni marrin pjesë kolegë nga gjithë bota, e pikërisht kjo e bën të veçantë. Presidenti i EANM shpall fituesin dhe pastaj presidentja e Kongresit jep çmimin. Është me të vërtet diçka shumë emocionuese.
Ku përqendrohen kërkimet e juaja shkencore?
E.L: Kërkimet e mia fokusohen te përdorim i PET-it, si metodë hetimi e patologjive tumorale nëpërmjet injeksionit tëshënjuesve molekularë radioaktiv. P.sh ne mund të përdorim fluorodeoksiglukozën (FDG) për të hetuar tumoret agresive. Mund të përdorim substanca me bazë aminoacidike për të hetuar tumoret cerebrale ose mund të përdorim një analog hormonal, siç janë ato të somatostatinës, për të hetuar tumoret neuroendokrine. Në mënyrë specifike studimi mbi të cilin me është dhënë çmimi sivjet i përket tumorit të prostatës dhe ne kemi vëzhguar pacientët me ketë tip tumori, që janë kandidat për t’u trajtuar me radioterapi.
Cilët janë avantazhet e këtyre teknikave dhe çfarë ndryshimesh mund të shohim në të ardhmen?
E.L: Në mënyrë specifike, te studimi i cituar, avantazhet janë të shumta. Elementi kryesor është se duke përdorur PET-in përpara radioterapisë ne kemi mundësi të identifikojmë në mënyrë të saktë indet e interesuara nga tumori e në këtë mënyrë ta orientojmë terapinë aty. Gjithashtu, është e mundur të evitojmë demet e radioterapisë mbi indet e shëndosha. Faktikisht tek grupi i ekzaminuar, mbi 50-60% e pacienteve kanë pasur një modifikim të trajtimit si pasojë e këtij studimi me PET. Ne këtë mënyrë është mundësuar përshtatja e trajtimeve në baze të nevojave specifike dhe reale të sëmundjes, çka më përpara nuk veprohej, të paktën jo me përqendrim të tillë.
A keni projekte të tjera kërkimore në këtë drejtim?
E.L: Interesat e mia janë të shumta, faktikisht, dhe lavdi Zotit në strukturën ku gjendemi në këtë moment, në Humanitas, bashkëpunimi me specialistë të ndryshëm është frytdhënës dhe të gjithë së bashku operojmë në përmirësimin e situatë së pacientit. Fushat e angazhimit tim mjekësor janë të shumëllojshme, por në mënyrë konkrete jam përqendruar kryesisht me tumoret cerebrale, tumoret e mushkërive, që janë edhe argumenti i doktoraturës, me linfomat e të rriturve, me patologjitë epatike etj. Gjithashtu, kooperoj me grupin italian të studimit të linfomës së Hodgkin tek fëmijët dhe jam referente e mjekësisë bërthamore për këtë grup. Së bashku me disa kolegë të tjerë italianë po ndjekim një studim për tumorin dhe neuroblastomën po tek fëmijët.
Si autore dhe bashkautore e disa artikujve dhe librave shkencorë, i fundit libri universitar Compedio di Diagnostica Medico Nucleare, në lidhje me diagnostikimin e sëmundjeve tumorale, si e shikoni betejën me këto sëmundje?
Profeti ynë ka thënë se Allahu i Madhëruar ka krijuar sëmundjet edhe ka krijuar edhe shërimin. Kështu që detyra jonë është të kërkojmë pikërisht kurat specifike. Aktualisht mjekësia moderne përqendron këtë kërkim në identifikimin e atyre karakteristikave molekulare dhe gjenetike të tumorit për secilin individ, në mënyrë që të krijohet ilaçi specifik i trajtimit të tumorit dhe pacientit specifik. Ndryshe quhen terapi target ose shënjestër, pasi godasin në mënyrë specifike targetin e tyre molekular ose gjenetik.
Mjekësia bërthamore në këtë kontekst nuk është fantashkencë, por diçka reale e viteve të fundit, dhe ajo vepron sidomos përmes PET-it, i cili vëzhgon tumorin nga jashtë për të identifikuar karakteristikat e përhapjes së tij. Këto informacione i shërbejnë pastaj onkologut dhe radioterapistit në goditjen precize të sëmundjes, duke reduktuar sa më shumë impaktin me pjesën e paprekur të trupit. Potencialisht mjekësia bërthamore lejon studimin e çdo tip tumori, me çfarëdolloj shënjuesi molekular.
Si e shikoni te ardhmen tuaj profesionale ?
E.L: Unë kam më shumë se 14 vite që jetoj në Itali, këtu kam familjen, këtu jam formuar dhe stabilizuar profesionalisht. Gjëja që me pëlqen më shumë t’ju them është se në këtë vend Allahu i Madhëruar më ka rikthyer në islam, kështu që janë shumë aspekte, edhe personale pra, të ndërlidhura me Italinë: të ardhmen e shoh në këtë vend, por Zoti e di më mirë.
Cili është raporti juaj profesional me Shqipërinë ?
E.L: Kjo pyetje prek një pikë pak delikate, sepse pavarësisht nga përmirësimet e shumta që ka njohur atdheu në kontekstet e ndryshme, profesioni im, dhe flas këtu për mjekësinë bërthamore, nuk ka gjetur të njëjtin lulëzim. Nuk është i tillë shembulli, fjala bie, i fqinjëve ballkanas, siç janë Greqia, Maqedonia, Serbia, të cilët kanë investuar dhe investojnë në krijimin e qendrave të përparuara të mjekësisë bërthamore. Sidoqoftë, unë shoh shpresa sepse është themeluar Shoqata shqiptare e fizikes mjekësore, që merret edhe me mjekësinë bërthamore, kemi edhe një qendër pavarësisht se në kontekst privat, të një spitali i cili ka krijuar tashmë një qendër PE. Kështu që shpresoj se për bashkatdhetarët kjo fushë kërkimore do të jetë më e përparuar.
Sa ka ndikuar feja në karrierën tuaj studimore?
E.L: Atë që Allahu i Madhëruar të ka destinuar askush nuk mund ta largoj. Më pëlqen te mendoj që shembulli im është një dëshmi e këtij fakti, sepse kur ke besim të plotë te Zoti dhe vendosmëri në rrugën e drejtë, asgjë nuk të ndalon apo frikëson. Një mysliman nuk duhet kurrë të tronditet në takimin me jo myslimanët për vlerat, besimin dhe zgjedhjet që ka bërë në jetë. Nëse dikush bën një koment për mbulesën islame, sepse të shikon me habi rrugës, kjo nuk duhet të jetë arsye të lëkundemi nga pozita.
Ne si myslimanë duhet të sforcohemi vazhdimisht të rrisim besimin, vlerat dhe praktiken, në mënyrë që të jemi për të tjerët një shembull në të mirë, si në aspektin human, ashtu dhe në atë profesional. Fatkeqësisht shumë vëllezër dhe motra janë të diskriminuar ose të përjashtuar për shkak të besimit, kështu që unë do t’i këshilloja të mos dorëzohen, të kenë besim, sepse Zoti është më i miri i mbështetësve.
Cili është impakti i identitetit tuaj fetar me kontekstin social rrethues?
E.L: Në epokën ku jetojmë është e vështirë të njohësh një person që nuk di diçka rreth fesë islame. Informacionet mund të jenë të drejta ose të gabuara, dhe njerëzit, pastaj, raportohen në mënyra të ndryshme, në bazë të thellësisë së njohjes së tyre. Për sa më përket mua, në përgjithësi, ndoshta nisur edhe nga roli im si mjeke, njerëzit në Itali janë të respektueshëm dhe pranojnë pa problem statusin social të një femre myslimane në të gjitha sferat.
Kë doni të falenderoni për rezultatet tuaja profesionale?
E.L: Falenderimi i përket Allahut të madhëruar pasi cdo gjë arrihet nëse do Zoti dhe unë jam plotësisht muslim. Pastaj falenderimi i përketë familjes time dhe këtu qëllimi është prindërit, sepse shumë kanë sakrifikuar për të ardhmen time dhe kanë qënë për mua si një shkëmb në mes të furtunës. Falenderoj dhe të gjithë personat e tjerë që më kanë njofur dhe më kanë mbështetur e përkrahur dhe kanë patur besim tek unë duke filluar që nga vëllai im dhe pastaj ju falenderoj dhe juve që po më nderoni me këtë intervistë